Në ditët e sotme, teknologjia dhe TIK-u janë kthyer në mënyrë jetese ndaj së cilës nxënësit janë të tërhequr. Arsimi teknologjik është një komponent thelbësor i kurrikulës ku nxënësit zhvillojnë aftësitë digjitale për të përdorur TIK-un në mënyrë efektive dhe të përshtatshme për të pasur akses, për të komunikuar dhe krijuar  informacion dhe ide, për të zgjidhur probleme dhe  punuar së bashku  në të gjitha fushat e edukimit në shkollë dhe në jetën përtej shkollës.

Misioni  i Departamentit të Informatikës është të japë kontribut në formimin e  profesionistëve  të specializuar në informatikë dhe teknologji informacioni dhe të çojë përpara njohuritë në sisteme dhe shkencat kompjuterike, duke siguruar mësimdhënie me cilësi të lartë, si dhe të drejtojë kërkime shkencore që adresojnë sfida në  fusha aktuale informatike dhe probleme sociale.

Departamenti i Informatikës  i FSHN  për të përmbushur misionin e tij ofron programe studimi në dy degë: “Informatikë” dhe “Teknologji Informacioni dhe Komunikimi”. Në qendër të kurrikulave, metodologjive dhe qasjeve të përdorura në programet e studimit, është gjithmonë studenti. Me qëllim rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies, rritjen e rezultateve të studentëve si edhe përgatitjen sa më të mirë të tyre, jo vetëm për tregun e punës, por edhe për të vazhduar studimin e thelluar në fusha të ndryshme të shkencave kompjuterike, është e rëndësishme që studentët që vijnë pranë këtij departamenti, të jenë sa më të përgatitur dhe më të informuar lidhur me programin e studimit që kanë zgjedhur. Për këtë arsye është e  domosdoshme që nxënësit të njihen sa më mirë me fushën e informatikës dhe teknologjisë së informacionit, me atë çfarë ofrohet nga Departamenti i Informatikës, dhe me atë çfarë kërkohet prej tyre nga këto fusha, para se të bëjnë zgjedhjen e tyre për studimet universitare. Vënia në dispozicion të nxënësve të gjimnazeve e platformës që përdor departamenti për testimin e njohurive të studenteve, si edhe  testimi i njohurive të tyre në fushën e programimit, do jetë një ndihmë për nxënësit, mësuesit, shkollat, si edhe për vetë Departamentin e Informatikës.

Aktiviteti ‘Young Programer Space’ ka si  qëllim kryesor prezantimin e nxënësve të shkollave të mesme me fushën e shkencave kompjuterike dhe teknologjisë së infomacionit, për të njohur më nga afër atë çfarë kërkohet dhe pritet prej tyre në këto fusha. Gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti,:

·      Do të vihet në dispozicion të nxënësve të shkollave të mesme, platforma e testimit YPS dhe infrastruktura që përdor Departamenti i Informatikës për testimin e njohurive në lëndë të ndryshme të programeve të studimit që të ofruara nga departamenti ku nxënësit do të do të shikojnë më kokretisht dhe do të kuptojnë më mirë atë çfarë ofrohet dhe pritet prej tyre në fushën e shkencave kompjuterike.

·      Do të realizohet një konkurs midis nxënësve të shkollave të mesme për të testuar njohuritë e tyre në fushën e programimit, duke u bazuar në gjuhën e programimit C/C++.  Qëllimi i këtij konkursi është nxitja e dëshirës se nxënësve për të thelluar njohuritë e tyre në këtë fushë, si edhe e shkollave të mesme për t’i kushtuar më shumë rëndësi rritjes së cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies në lëndët që pregatitin nxënësit për të vazhduar studimet në fusha të ndryshme të shkencave kompjuterike. Gjithashtu, gjatë konkursit identifikohen dhe nxënësit më të mirë, të cilët mund të jenë studentët e ardhshëm më pranë Departamentit të Informatikës.

·      Do të realizohet një prezantim i programeve të studimit, infrastrukturës dhe qasjeve që ofron  Departamenti i Informatikës ku nxënësit do të krijojnë një panoramë më të qartë dhe informohen më shumë  lidhur me ate çfarë ju ofrohet dhe kërkohet prej tyre nëse do të zgjedhin të vazhdojnë studimet pranë Departamentit të Informatikës.